Të gjitha njoftimet

Në vitin 2019 në Prizren hapet qendra tregtare “Galeria Shopping Mall”, investimi kalon 20 milionë euro

Qyteti i Prizrenit pritet të jetë nikoqir i një investimi njëzet milionësh që do të hapë mbi 1500 vende të reja pune, me rastin e hapjes së qendrës së re tregtare, “Galeria Shopping Mall”.

Kështu u bë e ditur sot gjatë një prezantimi me rastin e planifikimit të ndërtimit të kësaj qendre tregtare.

Drejtori i “Galeria Shopping Mall”, Gojart Shaqiri, u shpreh se projekti për ndërtimin e ‘Galerisë ’ është idealizuar bashkë me tri kompani tjera.

Sipas tij, qëllimi i kësaj është krijimi i një mini-hapësire familjare për të gjithë qytetarët e Kosovës, e jo vetëm të Prizrenit. Ndërsa, shtoi se pas arritjes së marrëveshjes me kompaninë austriake “Cineplexx”, pritet të investohen dhe 4.5 milionë euro shtesë.

“Qendra tregtare, “Galeria Shopping Mall” është njëri ndër projektet me investimin më të madh në Prizren, vlera e investimit e cila parashihet të jetë në Prizren është njëzet milionë euro. Kjo vlerë është së bashku me të gjitha brendet, të cilat do të jenë pjesë e projektit “Galeria Shopping Mall”, ku vetëm rasti i sotëm me zyrtarizimin e marrëveshjes me Cineplexx parashihet të investohen 4.5 milionë euro. Përveç investimit që jemi duke bërë në Prizren, ajo çka jemi krenarë është për numrin e punësuarve që do të punësohen në qendrën tregtare Galeria Shopping Mall. Numri i të punësuarve me orar të plotë në qendrën Galeria është 1500 punëtorë”, tha Shaqiri.

Ndërsa, arkitekti i këtij projekti, Arbër Sadiku, shtoi se për këtë qendër tregtare kanë punuar mjaft shumë.

Ai ka thënë se ata si byro projektuese ndihen mjaft të privilegjuar që jemi pjesë e këtij ekipi.

“Këtu kanë qenë të kyçur të themi jo një ushtri, por një qetë inxhinierike për të qenë e mundshme për t’u realizuar ky projekt. Jemi munduar të bazohemi aty ku gjenezën e kanë qendrat tregtare. Në thelb, ato mundohen të imitojnë një mikro-qytet brenda një strukture të mbyllur, ato kurrë nuk janë pa vetëm si një hapësirë ku mund të bëhet shopping, por hapësira ku çdo dimension i qytetit manifestohet dhe brenda një hapësire të mbyllur”, tha ai.

Ndërsa, drejtori menaxhues i Cineplexx në Kosovë, Milazim Saliu, tha se qëllimi kryesor i tij që prej ardhjes së këtij brendi kinematografik ka qenë të zgjerohet edhe në qytetet tjera.

“Qëllimi im si kineast qe disa vite ka qenë në Kosovë të sjellim një brend të njohur botëror të kinemave. Pas shumë peripecive është realizuar ajo ëndërr e imja që në Prishtinë të jetë Cineplexx. Pikat ku do të kërkoja hapësira që të zgjerohet rrjeti i kinemave Cineplexx, viti i parë ishte ai që më dha atë të drejtë dhe fillova të kërkoj një partner serioz për Prizrenin”, tha Saliu.

Ndryshe, në këtë qendër tregtare do të jenë mbi 130 dyqane të markave të njohura vendore dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/