Të gjitha njoftimet

U mbajt paneli me temën “Dhuna me bazë gjinore në shoqërinë kosovare”

Të premtën, më 10 dhjetor pikërisht në ditën e përmbylljes së kampanjës 16 Ditët e Aktivizimit dhe njëkohësisht Ditës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut u mbajt paneli i diskutimit me temën “Dhuna me bazë gjinore në shoqërinë kosovare” në GALERIA Shopping Mall në Prizren.

Në kuadër të kësaj kampanje që ka për qëllim parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, GALERIA në bashkëpunim me UN WOMEN organizuan aktivitete të shumta për të përçuar mesazhin e kampanjës tek secili bashkëpunëtor, punonjës dhe vizitorë i kësaj qendre në Prizren.

Për t’i përmbyllur këto aktivitete, në GALERIA u organizua paneli i hapur me të ftuar për diskutim: Jubilea Kabashi – drejtoreshë e Strehimores për Gra dhe fëmijë, Latif Hoxha – psikolog klinik, Nadire Thaçi Kryeziu – profesoreshë dhe Anesa Topko – zyrtare nga UN Women.

Në diskutim u cekën shkaktarët e shumët të dhunës, pasojat, si dhe u dhanë udhëzime rreth mënyrave të raportimit të dhunës. Drejtoresha e strehimores, Jubilea Kabashi theksoi se: “Në strehimore pavarësisht kushteve u ofrohet e gjithë përkujdesja e nevojshme grave që janë viktima të dhunës.”, duke qenë se Hoxha punon si psikolog në strehimore diskutoi rreth mënyrës së trajtimit të problemeve në anën psikologjike, e po ashtu ceki, rëndësinë e fuqizimit të grave si hap të rëndësishëm në parandalimin e dhunës.

“Mbështetja e njëri-tjetrit padyshim është mënyra se si janë tejkaluar dhe mund të tejkalohen abuzimet dhe çdo formë tjetër e dhunës”, u tha nga Anesa Topko. Ndërsa për fund profesoresha Kryeziu interpretoi shkrimin poetik duke përçuar mesazhin e vajzat dhe gratë janë ato që sot janë bërë zëri i Kosovës në botë, andaj çdo vajzë duhet përkrahur dhe motivuar.

Vetëdijesimi për parandalimin e dhunës arrihet me kontributin e çdo individi, biznesi, organizate e institucioni.

Përkrahja e njëri tjetrit është përgjegjësia që ka secili ndaj shoqërisë.