Të gjitha njoftimet

GALERIA Shopping Mall dhe AZTECH organizuan panelin e diskutimit me temën “Trendet e reja të zhvillimeve të teknologjisë”

Në kuadër të aktiviteteve të shumta në qendrën tregtare GALERIA në Prizren, të shtunën, më 15 Tetor më u mbajt paneli i diskutimit me temën “Trendet e reja të zhvillimeve të teknologjisë”. Eventi u organizua në bashkëpunim me kompaninë e elektronikës AZTECH dhe grupin e vullnetarëve të organizatës joqeveritare THY.

Pjesëmarrës në panel ishin edhe qendra e inovacionit në Prizren, MAKERSPACE dhe shkolla e mesme profesionale “Qendra e Kompetencës”, me të cilët u diskutua rreth zhvillimeve të fundit në fushën e teknologjisë dhe inovacionit në vendin tonë, me fokus në qytetin e Prizrenit.

Në diskutimin e zhvilluar me panelistët, instruktori i trajnimeve Artan Xhaha nga MAKERSPACE, profesori i teknologjisë Jakup Hoti nga “Qendra e Kompetencës” dhe agjenti Dion Çono nga AZTECH u theksua rëndësia e bashkëpunimit në mes të institucioneve dhe komuniteteve të ndryshme, si: shkollave, bizneseve dhe qendrave të ndryshme të inovacionit që ofrojnë programe të veçanta profesionale. Pasi bashkëveprimi i të gjithave sjellë ndryshimin që ndikon në avancimin e zhvillimeve të reja në Kosovë duke ndjekur trendet e reja botërore.

Ndër të tjera panelistët vlerësuan se pandemia Covid-19, si në botë, ashtu edhe në vendin tonë ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në krijimin e mundësisë punës online nga shtëpia, si dhe ka rritur përqindjen e porosive dhe shitjeve online. Duke konsideruar krijimin e profesioneve të reja në fushën e teknologjisë dhe inovacionit dhe rritjen e vendeve të punës, folësit u bën thirrje të rinjve të ndjekin trendet e reja botërore dhe të punojnë në avancimin e tyre që të kontribuojnë në vendin e tyre.