Të gjitha njoftimet

GALERIA Shopping Mall nënshkruan marrëveshje për sistemin solar më të madh në rajon

Energjia alternative dhe e rinovueshme çdo ditë e më tepër po bëhet më e pranishme në tërë globin për shkak të mundësisë që kjo teknologji ofron për kursim të energjisë elektrike dhe përmirësim të cilësisë së ajrit. GALERIA Shopping Mall do të implementoj projektin më të madh në rajon për panelet solarë me kapacitet të prodhimit të energjisë me një megawat pikë (1MWp) duke kontribuar dukshëm në uljen e ndotjes së ajrit në vend.

Furnizimi me energji elektrike në pjesën më të madhe në botë bazohet në shfrytëzimin e thëngjillit si lëndë e parë, i cili është faktori kryesor i ndotjes së ajrit. Sipas vlerësimeve nga të dhënat e raportit për cilësi të ajrit dhe emisioneve ndotëse për vitin 2019, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, ndotja e ajrit vlerësohet të jetë e lartë, respektivisht tejkalon vlerat (40 µg/m3) nё Han tё Elezit dhe hasen mё pak tejkalime nё Prizren e Gjilan. Ndërsa parametrat tjerë si SO2, CO, O3, kanë qenë nën vlerat maksimale të lejuara.

Bazuar në raportet e viteve të fundit ndotja e ajrit vazhdon të jetë një ndër problemet kryesore në Kosovë ndërsa edhe gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 është theksuar më tepër rëndësia e ajrit të pastër për jetën dhe zhvillimin e njeriut. Duke qenë një nga qendrat tregtare më të mëdha në rajon, GALERIA Shopping Mall në Prizren ka vendosur të implementoj projektin madhështor për instalimin e panelëve solarë fotovoltaik në tërë hapsirën e kulmit. Me këtë rast qendra tregtare GALERIA do të implementoj projektin më të madh në rajon për panelët solarë me kapacitet të prodhimit të energjisë me një megawat pikë (1MWp) duke kontribuar me 0.02% në uljen e ndotjes së ajrit në vend.

Implementimi i sistemit solar fotovoltaik do të bëhet nga kompania vendore Elen sipas të gjitha normave dhe standarteve më të fundit. Ky projekt përbën lajm të rëndësishëm për vendin pasi që qendra tregtare GALERIA do të luaj rol të rëndësishëm në raport me ruajtjen e mjedisit dhe uljen e emetimit të gazrave ndotëse kjo për shkak të teknologjisë së avancuar të paneleve solare fotovoltaike dhe në këtë mënyrë qendra tregtare GALERIA kontribon në sigurimin e një të ardhme të ndritshme për komunitetin e Prizrenit dhe tërë vendin.